FHK pranohet në Konfederatën Mesdhetare me të drejta të plota
Federata e Hendbollit e Kosovës është pranuar me të drejta të plota në Konfederatën Mesdhetare të Hendbollit.
Sipas njoftimit nga FHK, e cila e ka konsideruar sukses të rëndësishëm, pranimi i bërë pa asnjë votë kundër është zyrtarizuar të shtunën në Kongresin e Rregullt të Konfederatës Mesdhetare të Hendbollit.
“FHK-në në Kongres po e prezantojnë presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci. Ekipet kombëtare të Kosovës ka kohë që paraqiten në të gjitha ngjarjet e organizuara nga Konfederata Mesdhetare. Por deri më tani nuk kishte ndodhur pranimi zyrtar në këtë konfederatë. Tashmë Kosova është anëtare me të drejta të plota në Konfederatën Mesdhetare të Hendbollit. Kongresi po mbahet në Ankara të Turqisë, ku po zhvillohet edhe Kampionatin Mesdhetar për hendbollistët deri në 18 vjet. Natyrisht pjesë e kësaj ngjarjeje është Kosova. Në Kongres ishte edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Hassan Moustafa. Ai ka uruar Saraçinin e Gjinovcin për pranimin në Konfederatën Mediterane dhe për sukseset e fundit në skenën ndërkombëtare, ndër të tjera edhe për kualifikimin në Kampionatin Botëror për të Reja që mbahet në Kinë”, ka njoftuar FHK.
“Presidenti Saraçini dhe sekretari gjeneral Gjinovci, gjatë qëndrimit në Ankara po zhvillojnë takime me drejtues federatash nga vendet që janë pjesë e Konfederatës Mesdhetare, organizatës me shtrirje në tri kontinente”.