Presidenti Ademi uron Ferizajn për rikthimin në Superligë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi e ka uruar Ferizajn për rikthimin në Superligën e Kosovës.
Vetëm një vit pasi ra në Ligën e Parë, Ferizaj e ka fituar Ligën e Parë – Grupi B për t’u rikthyer në elitë.
Ndër urimet e shumta, s’ka munguar as i presidenti të FFK-së, i cili e uroi klubin për suksesin.
“Urime FC Ferizaj rikthimi në AlbiMall Superligë!
Titulli i kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë – Grupi B është një sukses i merituar pas një edicioni të jashtëzakonshëm për klubin tuaj.
Me punën tuaj profesionale, organizimin e mirë, përkushtimin e gjithsecilit në klub dhe mbështetjen e tifozëve arritët që brenda një viti të riktheheni në elitë.
Përgëzoj drejtuesit e klubit, stafin, futbollistët, tifozët “Ujqit” dhe të gjithë qytetarët ferizajas për këtë sukses. Uroj që në edicionin e ardhshëm me paraqitjet tuaja t’i jepni hijeshi Superligës dhe të kontribuoni në rritjen e mëtejme të nivelit të futbollit në vendin tonë.
Mirë se u riktheve në Superligë! Urime Ferizaj!”.