Mallorca drejt mbetjes në La Liga, Sahiti e Ujkani për Muriqin në stadium
Mallorca ia ka dalë që të bëjë hap të madh për sigurimin e mbijetesës në La Liga.
Të shtunën në ndeshjen e zhvilluar në “Mallorca Son Moix” në kuadër të Javës së 35-të të kampionatit, skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre ka arritur të fitojë me rezultat 1-0 kundër Las Palmas.
Gonzalez (29′) ka qenë autor i golit të vetëm të shënuar në ndeshje.
Reprezentuesi kosovar, Vedat Muriqi, i cili edhe në këtë edicion ka dhënë një kontribut të veçantë si në edicionet e kaluara, ka qenë në fushë për tetëdhjetë e tre minuta.
Për hir të sulmuesit shtatlartë në Spanjë kishte udhëtuar një delegacion nga Kosova.
“Drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe zv. drejtori Samir Ujkani janë në vizitë në Mallorca dhe po e përcjellin nga afër paraqitjen e Vedat Muriqit në ndeshjen Mallorca vs Las Palmas”, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës.
Në tabelën e kryesuar nga Real Madrid, Mallorca gjendet në vendin e pesëmbëdhjetë me tridhjetë e pesë pikë, nëntë pikë më shumë se Cadiz në vendin e tetëmbëdhjetë, një pozitë që çon në rënie nga kategoria.