Finalja e Europa League flet shqip, Xhaka dhe Gjimshiti dy protagonistët kryesorë
Finalja e Europa League do të flasë edhe pak shqip, motiv krenarie për shqiptarët që në finalen e madhe të 22 Majit në Dublin, do të shohin aty kapitenin e Kombëtares kuqezi, Berat Gjimshitin, protagonist i një sezoni historik të Atalantës që siguron për herë të parë biletën për sfidën që vlen trofeun.
Garanci në mbrojtjen e bergamaskëve, ku ashtu si Shqipëria ka shafqur rritjen e tij të jashtëzakonshme, lojtari më i mirë i gjysëmfinaleve në raundin e ndeshjeve të para Gjimshiti është padyshim lojtari më i suksesëshëm i momentit në xhiron e Kombëtares Shqiptare, pavarësisht se vëmendja mediatike shkon kryesisht te sulmuesit.
Ka pak, madje jo pak por shumë shqip edhe te kundërshtarët e Atalantës. Lider i padiskutueshëm i Bayer Leverkusen është Granit Xhaka, me personalitet të jashtëzakonshëm ashtu si përgjatë gjithë sezonit edhe në gjysëmfinalen e kthimit ndaj Romës. Lider i mesfushës me grintë, shpirt luftarak por dhe gjeometri të pastër në pasimet apo manovrën e lojës, Xhaka është një ndër ata lojtarë që e kanë shfaqur sa herë që ju është dhënë rasti me shumë krenari përkatësinë e tij shqiptare, pavarësisht se në nivel kombëtaresh ka përfaqësuar Zvicrën.
Xhaka kundër Gjimshitit, është një duel më vete në një finale të jashtëzakonshme, ku sido që të shkojnë gjërat, e sigurt është se trofeun do ta ngrejë edhe një shqiptar. /SS/