Edhe Wijnaldumi në Arabinë Saudite?
Georginio Wijnaldum është futbollisti i radhës që ka tërhequr interesim nga Arabia Saudite.
“Sports Zone” ka raportuar se për mesfushorin është interesuar Al-Ettifaq.
Wijnaldum nuk bën pjesë në planet e Luis Enriques, andaj largimi i tij nga Paris Saint-Germaini duket i pashmangshëm.
Ish-mesfushori i Liverpoolit nuk la gjurmë në kryeqytetin francez që kur iu bashkua në vitin 2021. Ai u paraqit 38 herë për parisienët, duke regjistruar tre gola dhe po aq asistime.
Wijnaldum u lejua të kalonte sezonin e kaluar në huazim te Roma, ku aty fatkeqsisht humbi pjesën më të madhe të sezonit shkaku i lëndimit.
32-vjeçari, i cili ka kontratë të vlefshme me PSG-në deri në verën e vitit të ardhshëm, tani është i lidhur me një kalim te Al-Ettifaq. Te kjo skuadër trajner është Steven Gerrard, teksa këtë verë iu bashkua edhe ish-mesfushori tjetër i Liverpoolit, Jordan Henderson.
Klubi saudit thuhet se dëshiron të nënshkruajë me reprezentuesin e Holandës si futbollist të lirë, teksa mbetet të shihet nëse lojtari dhe PSG-ja do të arrijnë marrëveshje për shkëputje të kontratës.
Më herët ishte raportuar se kampioni në fuqi i Francës kërkon së paku 6 milionë euro për shitjen e Wijnaldumit.