Ernest Muçi dërgon Besiktasin në finale
Ernest Muçi, gol që vlen finalen e Kupës së Turqisë.
Sulmuesi kuqezi vendosi ndeshjen gjysmëfinale, atë me Ankaragucu, të fituar me rezultatin 1-0 nga skuadra e Besiktasit.
Pas një pjese të parë pa gola, sulmuesi kuqezi u ngjit në skenë në minutën e 70-të me një të djathtë vrastare, duke bërë që tifozët të shpërthejnë.
Goli i sulmuesit kuqezi mbeti në fuqi deri në sinjalizimin e fundit të gjyqtarit të sfidës, që do të thotë se Besiktasi shkon në finalen e Kupës së Turqisë ku e pret fituesja e çiftit Fatih Karagumruk-Trabzonspor.
Për Muçin, i ardhur në janar në radhët e skuadrës turke, ky është goli i parë në Kupë në tri ndeshje të luajtura.
Ndërkohë, në kampionat, në 11 ndeshje të luajtura ka shënuar 3 gola.