Ballkani, thjesht perfekt!
Ballkani fantastik në ndeshjen e luajtur në stadiumin me emrin e njeriut që hodhi themelet e futbollit modern në Kosovë, Fadil Vokrri.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja për të dytin sezon rresht është shumë pranë kualifikimit për në fazën e grupeve të Conference League, duke u dhënë në njëfarë mënyrë edhe një leksion të vërtetë të gjithë klubeve shqiptarë në rajon.
Një fitore që bën shumë kontrast në ditën e humbjeve të Strugës dhe Partizanit, Ballkani ka arritur që ndryshe nga Partizani, të lexojë pikat e dobëta të BATE Borisov dhe të zhvillojë një ndeshje model, pavarësisht largimit të një prej lojtarëve më të fortë të sezonit ët fundit si Rrahmani.
Ekipi nga Suhareka asnjëherë nuk është bazuar tek talenti i lojtarëve të veçantë dhe këtë e tregoi fakti që në sfidën me bjellorusët, golat e fitores 4-1 u shënuan nga 3 protagonistë të ndryshëm, ndërsa lojën e bëri e gjithë skuadra.
Goli i parë që hapi ndeshjen nuk e demoralizoi aspak ekipin portokalli që Daja e ka ndërtuar me durim dhe pasion pasi në Kosovë i kanë dhënë kohën dhe besimin që në Shqipëri i gjeti vetëm te Skënderbeu ku gjithashtu regjistroi arritjen historike të kualifikimit në fazën e grupeve të Europa League.
Tashmë mbetet edhe sfida e kthimit por me fitoren e thellë dhe një skuadër të tillë në dispozicion, Daja, Suhareka dhe e gjithë Kosova mund ta bëjnë gjumin të qetë.