Daja pas fitores ndaj BATE: Një qytet i vogël, por me zemër të madhe

Daja pas fitores ndaj BATE: Një qytet i vogël, por me zemër të madhe

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është shprehur i ngazëllyer me fitoren dhe paraqitjen e të besuarve të tij ndaj BATE Borisov.

Kampioni i Kosovës, mposhti bindshëm prej 4-1, BATE Borisov në ndeshjen e parë të play-off-it, duke bërë hapin gjigant për t’u kualifikuar në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.

Strategu shqiptar pas ndeshjes tha se fitoren ia dedikon Lindon Emërllahu, i cili dje është operuar, derisa Daja shton se kjo fitore shkon për gjithë tifozët e Kosovës.

“Kjo fitore i shkon Lindon Emërllahut, sepse dje është operuar, është pika jonë e fortë. Fitorja shkon për tifozët e Suharekës, të Kosovës”, tha ai.

Daja theksoi se të përzgjedhurit e tij, e kanë dominuar lojën, madje, sipas tij, Ballkani ka mundur të shënojë më shumë gola.

“Nëse e shtrijmë përgjatë 90-minutëshit, e kemi dominuar, me lojë gola dhe raste. Duhet të kishim shënuar më shumë gola. Gjithsesi, rezultati 4-1 përballë një kundërshtari me përvojë, me të gjithë këto element, është fitore e madhe. Futbollistët e meritojnë një bravo të madhe për këtë që kanë bërë, një skuadër e një qyteti të vogël, por me zemër të madhe. Suksesi i Ballkanit është sukses i futbollit të Kosovës”, ka theksuar Daja.

Ndeshja kthyese mes Ballkanit dhe BATE Borisov luhet pas një javë në Budapest.

Share This