Super Ballkani ‘shkel’ BATE Borisovin, hap gjigant për kualifikim
Ballkani ka zhvilluar një superndeshje në duel me BATE Borisovin.
Kampioni në fuqi i Kosovës, e ka mposhtur BATE Borisovin, me rezultat 4-1, të enjten mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e parë të fazës së play-off-it.
Të besuarit e Ilir Dajës, kanë bërë një superparaqitje duke qenë ekip dominues gjatë terë lojës.
Skuadra nga Suhareka krijojë më shumë raste për gola në pjesën e parë, megjithatë, ishin skuadra mysafire e cila përmes Denis Laptev (10’), që kalojë në epërsi prej 0-1.
Futbollistët e Ballkanit nuk u demoralizuan pasi pranuan golin, por u hodhën në sulm më gjithë ‘arsenalin’ e tyre duke kërkuar golin e barazimit të cilin e gjetën përmes Bajram Jashanicës (31’), rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Ballkani edhe në fraksionin e dytë e kontrollojë lojën në terren, duke kërkuar gjithnjë rrugën e golit.
Blerand Tolaj (57’) ndezi stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke kaluar Ballkanin në epërsi prej 2-1.
Nuk vonoi shumë dhe sërish i njëjti lojtar realizoi edhe golin e tij të dytë personal në këtë supersfidë, të tretin për Ballkanin.
Goditjen e nokautit skuadrës bjelloruse ua dha Armend Thaqi (89’), i cili shënoi një supergol për rezultatin final 4-1.
Kampionët e Kosovës në bazë të lojës që treguan kanë mundur të shënojë fitore edhe më të thellë.
Ballkani më këtë fitore bën hapin gjigant për kualifikimin në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.
Ndeshja kthyese mes Ballkanit dhe BATE luhet pas një javë në Budapest.