Trajneri i Dortmundit para duelit me PSG-n: Ne duhet të luajmë për 180 minuta në nivelin më të lartë në mënyrë që të prekim ëndrrën tonë
Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic, thotë se kundërshtarët e tyre në gjysmëfinale, Paris Saint-Germain janë “ndërtuar për të fituar Ligën e Kampionëve”, përpara ndeshjes së parë të së mërkurës mbrëma në Gjermani, që do të transmetohet në Radio Televizionin Shqiptar.
Terzic, skuadra e të cilit kryesoi grupin ku bënte pjesë edhe PSG, por mori vetëm një pikë në dy përballjet direkte, beson se fitimi i Champions League ka qenë “objektivi kryesor” i PSG-së që kur ata u morën nga Katar Sports Investments në 2011.
“Projekti në Paris filloi me synimin për të fituar Ligën e Kampionëve”, tha Terzic.
“Ky ka qenë objektivi i tyre kryesor për një dekadë.”
PSG u kurorëzua kampion i Ligue 1 të dielën, titulli i tyre i 10-të në ligë në 12 sezonet e fundit. Ai dominim i brendshëm, megjithatë, nuk është përkthyer kurrë në sukses evropian. Rezultati më i mirë i PSG-së erdhi në vitin 2020 kur humbën finalen përballë Bayernit të Mynihut.
Dortmundi, i cili fitoi kompeticionin në vitin 1997, po luan në gjysmëfinale për herë të pestë në historinë e klubit dhe për herë të parë që nga viti 2013, kur humbi edhe ndaj Bayernit në finale.
Terzic veçoi Kylian Mbappe për lëvdata të veçanta, por tha se fokusimi vetëm tek ai do të ishte një gabim i tmerrshëm.
“Është pyetja që dëgjoj më shumë, ‘Si e ndaloni Kylian Mbappe?’. Por nëse fokusoheni vetëm tek Kylian Mbappe, atëherë vjen Ousmane Dembele ose [Goncalo] Ramos, ose Vitinha, ose Hakimi.
Nëse duam të fokusohemi në një gjë, atëherë duhet të fokusohemi te topi. Nëse shqetësohemi për topin, atëherë është shumë më e vështirë për ta të shënojnë. Nesër kemi mundësinë të marrim një rezultat të mirë me avantazhin vendas. Objektivi është të “krijojmë një avantazh të vogël për veten tonë që do të përmirësojë situatën tonë në Paris. Ne duhet të luajmë për 180 minuta në nivelin më të lartë në mënyrë që të arrijmë ëndrrën tonë të madhe për të arritur në finale. Fillimisht në Dortmund dhe më pas në Paris javën e ardhshme”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Borusias, Edin Terzic.