Tuchel kundër Ancelottit, shifrat tregojnë një përballje titanësh
Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve është një sfidë e vërtetë mes gjigantëve evropianë.
Bayerni i Tuchel pret Realin e Madridit të Ancelottit, i cili eliminoi Cityn e Guardiolës, kampionin në fuqi, pas një çerekfinaleje që u mbyll me penallti.
Suksesi ndaj anglezëve tani i jep madrilenëve skeptrin e ekipit favorit për fitoren përfundimtare, por rruga që të çon në ‘Wembley’ është ende plot me rreziqe. Bayerni dërgoi Arsenalin në shtëpi në çerekfinale, duke e mbajtur portën të mbyllur për herë të tretë radhazi në Evropë.
Humbja e vetme në Ligën e Kampionëve mbetet ajo e pësuar nga Lazio në ndeshjen e parë të 1/16-tës (0-1 në Olimpico), ndërsa Reali mund të mburret me një rekord sezonal të pamposhtur në Evropë me 7 fitore dhe 3 barazime.
Megjithatë, Bayerni është më mirë në disa mënyra të tjera. Në 10 ndeshjet e luajtura deri më tani në Ligë e Kampionëve, gjermanët kanë pësuar vetëm dy gola në pjesën e parë por pa u mundur në këto 45 minuta. Ndërsa Reali, ndonëse dominues në 90 minuta, e ka humbur një pjesë të parë ndaj Union Berlin, por që më pas e përmbysi ndeshjen në pjesën e dytë. Por edhe në kampionatet respektive, situata është krejt e ndryshme.
‘Bavarezët’ kanë tre fitore radhazi në Bundesligë dhe janë të dytët në renditjen e kampionatit gjerman me 69 pikë në 31 ndeshje dhe me sulmin më të mirë (89 gola të shënuar). Por edhe madrilenët kanë fituar gjashtë ndeshjet e fundit të La Ligës dhe kryesojnë renditjen me 84 pikë pas 33 ndeshjesh, me mbrojtjen që ka pësuar më pak gola, 22 dhe me sulmin më produktiv me 71 gola.