Partizani, “padron” i kryeqytetit
Partizani ruan serinë e pathyeshmërisë në ndërqytetase prej 7 ndeshjesh tashmë, pas triumfit 2-1 në “Arena Kombëtare” përballë Tiranës.
Të kuqtë e Orges Shehit, edhe njëherë fitues kundër ish-skuadrës së tij, blindojnë vendin në “Final Four” dhe mbeten në ndjekje të vendit të dytë, -1 nga Vllaznia. Telashe për Tiranën, që tre javë nga fundi e sheh veten jashtë katërshes me dy kundërshtarë për të kaluar.
Ekuilibrat u spostuan në minutën e 15’ kur Maguette lëshoi një të djathtë të fuqishme, që e devijuar, u bë e pakapshme për Kozin.
Në një derbi nuk ka dorëzim dhe rikthimin e Tiranës e lajmëroi Abazaj, i pafat në minutën e 39’ aq sa me fat ishte Qirko në të njëjtën situatë. Goditja e sulmuesit u përplas në traversë dhe pastaj në shpinën e portierit për të përfunduar jashtë.
Nën një ritëm të lartë, përgjigjia e Partizanit erdhi me Rrapajn, goditja e të cilit u ndal nga portieri, e pastaj Keko goditi keq në një pozicion të favorshëm.
Ligji i pashkruar i futbollit goditi neglizhencën e sulmuesit të të kuqve, sepse në përmbysjen e fronteve, pothuaj në një aksion identik Tirana barazoi. Qirko ndali goditjen e Deliut, por jo devijimin me kokë të Abazaj, që ktheu barazinë në fundin e pjesës së parë.
Partizani mori në kontroll lojën, por nuk është se pati raste flagrante, me përjashtim të Kekos në të 65’.
Gjërat u komplikuan për Tiranën në kartonin e dytë të verdhë të Jonuzit në minutën e 87’, por askush nuk parashikoi se Partizani do të përfitonte me shpejtësi. Maguette kompletoi ndeshjen e tij fantastike me golin e dytë në minutën e 93’, me një të majtë që nuk i la asnjë shans reagimi Kozit.
Festë e Partizanit për triumfin në derbi, por llogaritë duhet ti bëjnë me mungesat me Skënderbeun javën e ardhshme ku do të mungojë Maguette se plotësoi numrin e kartonëve e Hadroji që u përjashtua në minutën e fundit të shtesës.