Ancelotti: Mirë që Xavi vazhdoi me Barcelonën, deklarata e Laportas s’vlen asgjë
Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti thotë se nuk ndihet nga deklarata e presidentit të Barcelonës Joan Laporta për “El Clasico”, ndërsa e ka parë si të saktë vendimin e Xavi Hernandezit për të qëndruar.
Tekniku italian ka folur në konferencë për shtyp para përballjes me Real Sociedadin, që zhvillohet nesër – ku ndër të tjera u pyet për qëndrimin e Xavit.
Ancelotti deklaroi se Xavi ka bërë punë fantastike te Barcelona, andaj e meriton qëndrimin mirëpo e vlerësoi deklaratën e Laportas si opinion.
“Xavi? Ka bërë punë të mirë te Barcelona dhe e njeh klubin shumë mirë. Më duket se vendim korrekt”.
“Duhet t’i respektojmë ndryshimet në vendime. Sa herë e kam ndryshuar mendjen? Shumë herë gjatë karrierës. Ta bësh është e drejtë andaj edhe lejohet”.
“Laporta? E kam lexuar. Është opinion. Nuk kam pse të jap mendim për opinionet e tjerëve. Më duket shumë normale. Kemi ndjenjë të mirë për momentin se gjithçka që ndodhë rreth nesh nuk na ndikon. Për ne, s’vlen asgjë. S’kam asgjë për të shtuar, janë mendime të tyre”.
Ancelotti ndër të tjera konfirmoi se Ferland Mendy do të mungojë të mërkurën, por pritet të jenë gati Jude Bellingham e Rodrygo pavarësisht që munguan në stërvitje.