“Xavi qëndron”, kthesë e papritur, zbulohen dhe 5 lojtarët e paprekshëm
Në futboll asgjë nuk është e sigurt, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ikonë si Xavi.
Prej shumë kohësh flitej për një divorc në fund të sezonit, një vendim i bërë publik nga vetë trajneri, por situata ka ndryshuar totalisht pas takimit të fundit që trajneri zhvilloi me stafin drejtues të Barcelonës, presidentin Laporta dhe Deco-n, drejtorin sportiv.
Pas disa negociatave, në fund doli “tym i bardhë”: Xavi do të qëndrojë në krye të Barcelonës edhe për sezonin tjetër, duke respektuar në këtë mënyrë kontratën që e mban të lidhur deri më 30 qershor 2025. Nuk ka ende një vendim zyrtar, nga ana e klubit, por të gjithë mediat nuk kanë asnjë dyshim mbi këtë. Tre të dhëna përbëjnë një fakt, tre nga katër mediat kryesore në Spanjë, u hapën këtë të enjte me të njëjtin titull:
“Xavi qëndron”, shkruajnë Mundo, Sport dhe AS. Mediat spanjolle kanë zbuluar edhe projektin e ri të klubit, gjithçka nis nga talentet e klubit, lojtarë si Yamal, Cubarsi, Pedri, Gavi dhe Mika Faye, 5 lojtarë të paprekshëm.
Së fundmi, sipas mediave në Francë, PSG i ka ofruar Barcelonës 200 mln euro për Yamal, ofertë e cila është refuzuar në mënyrë kategorike nga Laporta.
Ylli spanjoll ka një kontratë deri në 2026, por pasi të mbush 18-vjeç palët kanë një akord për një rinovim deri në 2030, ndërsa klauzola e tij e largimit është 1 miliardë euro.