Hakmarrja e Calhanoglu: Nuk mund të harroj çfarë më bënë milanistët
Titulli i sapo fituar me Interin ishte një çlirim për Hakan Calhanoglu pasi pa ish-shokët e tij të skuadrës te Milan të fitonin të parët, por mbi të gjitha ishte një hakmarrje ndaj disa tifozëve kuqezi. Ka qenë vetë turku që ka shpjeguar arsyen.
“Hakmarrja për vuajtjet që ndjeva vitin kur mbërrita, kur humbëm me Interin. Nuk mund të harroj gjithçka që u bë kundër meje dhe familjes sime nga tifozët e Milanit, por në zemrën time isha i sigurt se gjithçka do të përfundonte mirë, do të vinte shpagimi dhe fitorja e kampionatit gjatë derbit ishte kënaqësia ime më e madhe. Ishte e gjitha e shkruar. Zoti e deshi kështu sepse e di që unë nuk e meritoja atë që më bënë. I qetë, pa thënë asnjë fjalë kam punuar dhe kam menduar vetëm për të bërë mirë. Kjo fitore më shpërblen për gjithçka”, u shpreh ai për Il Giornale.
“Jam i lumtur dhe krenar që kam arritur këtë objektiv të jashtëzakonshëm. E donim këtë yll të dytë me të gjithë forcën tonë. Një sukses që e merituam për punën e shkëlqyer të bërë së bashku. Pashë pamjet e ndeshjes, festimet e tifozëve dhe ende nuk e besoj. Është një gëzim shumë i madh për t’u përshkruar”, shtoi ai.
Dhe madje edhe zhgënjimi i humbjes së titullit në një sprint me Milanin është fshirë: “Unë gjithmonë kam ëndërruar ta fitoj me një klub të madh. Erdhi me Interin dhe nuk mund të isha më i lumtur. Mendoj se është ëndrra e çdo lojtari. Ne patëm një sezon të mrekullueshëm, u dhamë gëzim tifozëve tanë që ishin pranë nesh me një entuziazëm të jashtëzakonshëm”.