‘Karagaçi’, arenë e ‘nxehtë’ hendbolli
Skuadrat më të mira të hendbollit në vend e kanë kthyer gjithë fokusin te turneu final i Kupës së Republikës së Kosovës.
Turneu final i Kupës, përkatësisht ndeshjet gjysmëfinale dhe finalet, është vendosur të luhen në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
E shtuna dhe e diela do të jenë të mbushura me ndeshje të forta e cilësore të hendbollit.
Tashmë është caktuar edhe orari i ndeshjeve. Fillimisht të shtunën në program janë dy gjysmëfinalet te hendbollistet. Nga ora 14:00 takohen Vushtrria e Istogu. Istogu është fitues në fuqi i Kupës dhe llogaritet favorit.
Prej orës 16:00 është ndeshja Ferizaj – Samadrexha. Të dy skuadrat kanë pretendime të mëdha dhe pritet ndeshje dramatike.
Më pas janë ndeshjet gjysmëfinale te hendbollistët. Fillimisht prej orës 18:00 takohen Trepça e Kastrioti. Trepça është fituese në fuqi e Kupës, por Kastrioti e synon finalen e madhe. Pritet ndeshje po ashtu interesante.
Ndeshja kryesore e ditës zhvillohet prej orës 20:00, ku do të përballen Rahoveci e Besa Famgas. Këto dy skuadra kanë luajtur katër ndeshje shumë të forta në stinorin e rregullt. Të gjitha ndeshjet janë vendosur në aksionet e fundit.
Njëjtë pritet të jetë edhe të shtunën mbrëma në “Karagaçin” e Pejës. Pritet në numër të madh shikuesish që spektakli i Kupës të jetë i kompletuar.