Pioli ndryshon strategji për të befasuar Interin
Një Milan që mbulon mirë zonat dhe i gatshëm për ta goditur në kundërsulm Interin, duke përfituar nga shpejtësia e sulmuesve.
Nëse strategjia mund të parashikohet gjerësisht, në bazë të karakteristikave të të dyja skuadrave, surpriza e madhe, që Stefano Pioli po përgatit në kuadër të derbit të kësaj mbrëmjeje, ka të bëjë pikërisht me futbollistët që do të hedhë në fushë.
Olivier Giroud po përgatitet të ulet në stol, me Rafael Leaon në vend të tij në rolin e qendërsulmuesit dhe Musah në të djathtë e Pulisic në të majtë.
Një strukturë taktike e paprecedentë, që trajneri nga Parma po studion për ta goditur mbrojtjen e fortë të Simone Inzaghit.
Për Milanin dhe Piolin, humbja e derbit të gjashtë radhazi do të nënkuptonte qepjen e skudetos dhe yllit të dytë në fanellat e Interit pikërisht në këtë mbrëmje, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e kampionatit italian.
Kjo është arsyeja pse Pioli dëshiron ta befasojë Interin me zgjedhje të reja dhe lojtarë me karakteristika të ndryshme në krahasim me formacionin e zakonshëm.
Siç zbulon “La Gazzetta dello Sport”, trajneri i kuqezinjve synon ta vendosë Leaon në rolin atipik, por funksional, të qendërsulmuesit, me Loftus-Cheek në qendër dhe dy amerikanët Musah dhe Pulisic në krahët e tij. Në mbulim do të jenë Adli dhe Reijnders.
Prandaj një Milan më i mbuluar, me më pak posedim dhe më shumë kërkim hapësirash në thellësi.
Pesë derbi dhe pesë humbje radhazi. Milani dëshiron të prishë “magjinë e zezë” në derbi.
Kuqezinjtë humbën pesë ndeshjet e vitit 2023 kundër Interit, përfshirë Superkupën e Italisë në Riad të Arabisë Saudite, gjysmëfinalen e dyfishtë të Ligës së Kampionëve 2022/2023 dhe dy ndeshjet e kampionatit, ndeshjen e kthimit të sezonit të kaluar dhe ndeshjen e pare të atij në vazhdim. Një tabu që Pioli dhe skuadra e tij duan ta thyejnë këtë mbrëmje.