Reagon Ballkani: S’kemi sulmuar askënd të Dritës, Murseli po gënjen

Reagon Ballkani: S’kemi sulmuar askënd të Dritës, Murseli po gënjen

Kampioni i Kosovës Ballkani ka akuzuar drejtorin e Dritës Feti Murseli se ka gënjyer duke deklaruar se është sulmuar nga zyrtarët e skuadrës suharekase pas përfundimit të derbit.

Derbi i të shtunës mes Ballkanit e Dritës ishte ndoshta loja më e mirë e sezonit, ku përfundoi me rezultat 2:2.

Sidoqoftë, një “incident” u raportua se ndodhi pasi Murseli deklaroi se është sulmuar nga zyrtarët e Dritës, e disa prej tyre edhe kanë shpërndarë disa grushte.

Megjithatë, Ballkani tani i ka mohuar të gjitha këto pretendime, duke e quajtur gënjeshtar drejtorin.

“Sqarim për gjithë opinionin futbolldashës,

Absolutisht nuk është e vërtetë se dikush dje në Suharekë, është sulmuar nga stafi i FC Ballkanit.

Assesi nuk kalon tendenca për t’i dhënë ngjyrim të tillë një klubi të dëshmuar për korrektësi e mikpritje, në Kosovë e Europë.

Nuk i takon një klubi si Drita, që në afekt të emocioneve nga forma se si rodhi ndeshja, zyrtarët e tyre të mundohen të fabrikojnë situata të pa qena.

Deklarimi i drejtorit të Dritës, Feti Murselajt për sulm nga zyrtarët tanë, është gënjeshtër!

Askush nga klubi i Dritës nuk është sulmuar nga anëtarët e klubit tonë!

Përkundrazi, ndër vite kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me Fc Dritën, teksa tifozëve të tyre gjithmone u kemi bërë vend në stadiumin tonë, edhe pse në Gjilan ata nuk na i kanë lejuar tifozët tanë.

Ballkani do të vazhdojë të mbetet si gjithmonë, shembull i një klubi dinjitoz”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë.

Share This