Shpërthen Guardiola: E papranueshme, luajtëm 72 orë pas ndeshjes me Realin
Është një Pep Guardiola i tërbuar, ai që u paraqit para mikrofonave në fund të fitores ndaj Chelseat në gjysmëfinalen e FA Cup, 72 orë pas ndeshjes së Champions League kundër Real Madridit.
“Është e papranueshme të luash sot, nuk e kuptoj pse nuk na dhanë një ditë më shumë”.
Referenca është se as kundërshtarët e sotëm dhe as dy gjysmëfinalistët e tjerë, pikërisht Manchester United dhe Coventry, nuk kishin angazhime evropiane, ndaj ndeshja e City-t mund të luhej të dielën.
“Njerëzit nuk e kuptojnë se çfarë goditjeje në fytyrë ishte për ne eliminimi nga Champions League. Luajtëm në kushte vërtet të vështira”, vazhdoi Guardiola.
Dhe përsëri: “Disa lojtarë bënë një përpjekje të jashtëzakonshme. E gjithë kjo pas 120 minutash me Realin, që çoi në lodhje fizike dhe emocionale, me vetëm dy ditë për t’u rikuperuar”.