Berat Gjimshiti vazhdon të shkëlqejë, kapiteni është shpresa e madhe e Shqipërisë në Evropian
Se çfarë është në gjendje të bëjë, ne e dimë mirë. Berat Gjimshiti, padyshim është lojtari më i mirë dhe më në formë i kombëtares shqiptare, diçka që u vlerësua edhe nga UEFA.
Kapiteni “Kuqezi” gjithsesi arriti një kulm që nuk besohet ta ketë mbërritur ndonjë tjetër lojtar i yni.
UEFA atë e shpalli më të mirin futbollist të ndeshjeve të dyta çerekfinale të Europa League. Kjo, për paraqitjen e jashtëzakonshme të 30-vjeçarit ndaj Liverpool, në ndeshjen luajtur në “Gewiss Stadium”, të Bergamos, ku Atalanta u mund 0-1, por u kualifikua në gjysmëfinale falë suksesit 3 me 0, të arritur në “mitikun” anglez, të “Anfield Road”.
Gjimshiti ishte i panjollë, dhe mori një vlerësim të çmuar në një konkurrim ku ishin lojtarët e Roma, Milan, Bayer Leverkusen, Benfica, Marseille, Atalanta apo Liverpool. I gjithë ky sezon vazhdon të jetë shumë i mirë për 30-vjeçarin nga Lugina e Preshevës.
Ai ka shënuar në Evropë, duke ndihmuar skuadrën e Atalanta që të shkojë përpara. Po ashtu ka luajtur në nivel mjaft të lartë në Serie A, edhe pse skuadra e trajnerit Gasperini është vetëm në vendin e 7-të. Gjithsesi, Italia do të jetë në Champions me 5 skuadra vitin që vjen, dhe Gjimshiti ka shpresë sepse vendi i 5-të, Roma është vetëm 4 pikë larg.
Po ashtu, objektiv i madh është fitorja e një trofeu. Në gjysmëfinale, “Bergamaskët” e Atalanta do të ndeshet me francezët e Olympique Marseille, pra i ka mundësitë për në finalen e madhe në 22 maj në stadiumin e kryeqytetit të Irlandës, Dublin.