Superliga e hendbollit rikthehet me derbin Kastrioti-Besa
Me derbin Kastrioti – Besa Famgas, nisin ndeshjet e xhiros së 28-të, përkatësisht e fundit, e stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
Dy skuadrat që synojnë trofetë, Kastrioti e Besa Famgas, përballen të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Besa Famgas në play-off starton nga pozita e dytë, ndërsa Kastrioti nga pozita e tretë. Pra këto dy skuadra do të ballafaqohen edhe në gjysmëfinale të play-off-it..
Por fillimisht, pas një jave, është turneu final i Kupës, të cilin synojnë ta fitojnë si Besa ashtu edhe Kastrioti.
Xhiroja e 28-të vazhdon të dielën me ndeshjen Vushtrria – Vëllaznimi, që fillon në ora 18:00.
Ndërkaq, të hënën prej orës 19:30 takohen Prishtina e Trepça. Trepça e ka edhe një ndeshje të mbetur me Vëllaznimin.
Në Ligën e Parë luhet xhiroja e 16-të. Të shtunën zhvillohen ballafaqimet Drita – Istogu (18:00), Lepenci – Prizreni (19:00), derisa Llapi e Samadrexha zhvillojnë ndeshje të rëndësishme të dielën nga ora 18:00.
Kjo xhiro mbyllet të hënën me ndeshjen Vjosa – Drenica, që fillon në ora 19:00.