Kualifikim me rekord, Leverkusen nuk di të ndalet, Alonso: Dua të shkojmë më larg
Festuan gjatë për titullin e parë historik, por dushi me birra më sa duket nuk kishte asnjë efekt, pasi Bayer Leverkusen nuk di të ndalet.
“Aspirinat” vijojnë rrugëtimin e tyre perfekte, këtë herë duke kaluar një tjetër pengesë, dalin të pamposhtur edhe nga transferta angleze, barazojnë 1-1 ndeshjen e kthimit me West Ham duke siguruar një biletë për në fazën gjysmëfinale të Europa League pas suksesin 2-0 në ndeshjen e parë.
Antonio kaloi “çekanët” në avantazh që në minutën e 12-të, por Leverkusen mbrojti me fanatizëm rezultatin e ndeshjes së parë duke pritur West Ham. Në fundin e ndeshjes, me ishullorët të hedhur përpara, Lerverkusen luajti me kundërsulm, Frimpong provoi fillimisht, ndërsa në tentativën e dytë u tregua i saktë duke shmangur humbjen e Leverkusen. Kjo ishte ndeshja e 44 radhazi që ekipi i Xabi Alonson nuk pëson humbje, thjesht perfekt në këtë edicion:
“E dinim që nuk do të ishte e lehtë. Më duhet të jem i sinqertë, në 45 minutat e para na vendosën në vështirësi, por dihet që nëse dëshiron të shkosh në gjysmëfinale në Evropë, duhet të përballesh me momente të tilla. Shpresoj shumë që të shkojmë më larg se kaq. Golat në fund? Ky është mentalitet ynë, Besojmë deri në minutën e fundit. Gjëja më e rëndësishme në këtë sfidë nuk ishte pathyeshmëria jonë, por ta arrinim në gjysmëfinale. Sigurisht ta arrish këtë me një rekord të tillë na bën edhe më të lumtur”, u shpreh Xabi Alonso në konferencë për shtyp.