Nagelsmann nuk kthehet te Bayerni, trajneri rinovon kontratën me Gjermaninë
Julian Nagelsmann nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Bayernit të Mynihut.
Trajneri aktual i Gjermanisë ka zgjatur kontratën me kombëtaren deri në vitin 2026, duke drejtuar ekipin deri në Botërorin e ardhshëm.
Federata Gjermane e Futbollit e ka bërë të ditur me një deklaratë zyrtare: “Julian Nagelsmann do të mbetet trajner i kombëtares gjermane edhe pas Kampionatit Evropian të cilin do ta luajmë në shtëpi”, lexojmë në faqen zyrtare të DFB-së, ku më pas sqarohet se si erdhi vendimi:
“Asambleja e përgjithshme e DFB-së vendosi njëzëri të premten. Kontrata e re e trajnerit 36-vjeçar do të zgjasë deri në përfundimin e Botërorit të ardhshëm FIFA në vitin 2026, i cili do të luhet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Në shtator të vitit të kaluar, Nagelsmann fillimisht kishte nënshkruar një kontratë deri në EURO 2024. Por tani është zgjatur”.