“Krenari dhe lumturi”, Gjimshiti: Kjo arritje për tifozët dhe Bergamon
Atalanta shkroi historinë përballë Liverpoolit. Djemtë e Gasperinit eliminuan skuadrën e fortë të Klopp, duke siguruar një kualifikim drithërues në gjysmëfinalet e Europa League.
Humbja 0-1 në “Gewiss Stadium” rezultoi e ëmbël, pasi Berat Gjimshiti me shokë festuan falë suksesit të jashtëzakonshëm 0-3 në mitikun “Anfield”.
Mbrojtësi i Atalantës, njëkohësisht kapiteni i kombëtares shqiptare, falënderoi tifozët për mbështetjen dhe kualifikimin fantastik ia dedikon gjithë qytetit të Bergamos.
“Krenari dhe lumturi, tifozët na përkrahën dhe na shtynë gjatë gjithë javës. Një gjë e tillë u vu re edhe gjatë ndeshjes. Goli i Salah ishte një episod fatkeq.
Vuajtëm në 20 minutat e para nga shpejtësia e tyre, por e ruajtëm përqendrimin. Më pas reaguam, morëm masat e duhura.
E merituam kualifikimin në dy ndeshjet që zhvilluam. Dua t’ua dedikoj gjithë këtë tifozëve dhe qytetit të Bergamos.
Kjo arritje duhet të na japë shtytjen e nevojshme për ndeshjet e ardhshme. Ne duhet të ndihemi krenarë për veten dhe të japim gjithçka në të gjithë kompeticionet”, u shpreh Gjimshiti.
Atalanta vijon të garojë në kampionat për zonën Champions, ndërkohë që të mërkurën (24 prill) luan në shtëpi gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë përballë Fiorentinës (0-1).
Marseille është pengesa e fundit e zikaltërve për të siguruar një biletë në finalen e madhe të Dublinit (22 maj).
Gjysmëfinalja tjetër e Europa League është Roma-Bayer Leverkusen.