“De Rossi ka ndryshuar edhe lojtarët e dobët”
Nuk kanë fund elozhet për trajnerin e Romës, Daniele De Rossi që ia ka dalë të rikthejë verdhekuqtë në “shinat e duhura” pas problemeve me Jose Mourinhon.
I fundit që vlerëson punën e 40-vjeçarit është Zbigniew Boniek. Zëvendëspresidenti i UEFA-s, theksoi se De Rossi është i “prerë” për rolin e trjnerit ndërsa shtoi se tashmë edhe lojtarët më të dobët të Romës kanë fituar besom dhe kontribuojnë për skuadrën.
“Daniele nuk më befason aspak. Para se të bëhej trajner, në një intervistë fola për mënyrën sesi ai kishte përshtatshmërinë perfekte për të qenë trajner. Ai ishte trajner në fushë edhe kur ishte lojtar.
De Rossi është një trajner i kompletuar në mënyrën se si flet, në mënyrën se si shprehet. Në ndeshjen ndaj Milanit, ai tregoi se nuk është vetëm një trajner i mirë, por edhe një menaxher i shkëlqyer grupi, një drejtues, di të menaxhojë mirë stresin në një situatë të vështirë.
Romës i solli shumë rezultat ndryshimi i trajnerit, me De Rossin ka nisur një “erë” e re. Tani edhe lojtarët në dukje më të dobët kanë fituar besim dhe po kontribuojnë për skuadrën. Në fund, dua të theksoj se më vjen keq edhe për mënyrën si përfundoi marrëdhënia me Mourinhon, ai i ka sjellë shumë gëzim Romës”, u shpreh Boniek.