Xhaka: Nga fillimi i karrierës e kam ëndërruar një moment të tillë
Mesfushori kosovar Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, është shprehur shumë i lumtur me titullin e fituar në elitën e futbollit gjerman.
Leverkuseni pas 120 vitesh, dje matematikisht ka fituar titullin e kampionit në Bundesligën gjermane, i pari në historinë e këtij klubi.
Padyshim se njëri ndër më meritorët në suksesin e “Aspirinave” është edhe Xhaka.
Reprezentuesi shqiptar i Zvicrës, thotë se është i emocionuar më titullin e fituar me Leverkusenin. Xhaka thekson së trofetë janë ëndrra e të gjithë lojtarëve.
“Vështirë të gjesh fjalët e duhura kur përjeton një emocion kaq të madh. U riktheva pas shumë kohësh në Bundesligë dhe ta festoj me titull është e jashtëzakonshme. Kemi bërë një sezon të madh”, ka thënë Xhaka.
“Nga fillimi i karrierës sime e kam ëndërruar një moment të tillë. Ishte një punë e vështirë dhe e përditshme, por ia dolëm të gjithë së bashku. Për mua ky titull është diçka shumë speciale në të gjitha këto 14 vite të karrierës sime. Tani duam më shumë dhe duam trofe të tjetër”, ka theksuar ish-futbollisti i Arsenalit.