E “josh” Champions League, Bonucci pranë transferimit në një tjetër kampionat
Leonardo Bonucci përfundoi jashtë planeve të drejtuesve dhe trajnerit të Juventus, Massimiliano Allegri.
Mbrojtësi që ka deklaruar se do të tërhiqet në mbyllje të këtij sezoni, prej kohësh është duke studiuar ofertat.
Lazio ishte një opsion real, por së fundmi 36-vjeçari është gjithnjë e më i “tunduar” nga ideja për të provuar një aventurë në Bundesligë me Unionin e Berlinit që i ofron një pagë prej 1.5 milionë euro. Për më tepër, skuadra gjermane merr pjesë edhe në Champions League e në këtë formë, mbrojtësi do të kishte mundësi edhe të vijonte aktivizimin në skenat më të rëndësishme europiane.
Bonucci kërkon që vitin e fundit të karrierës ta shijojë në maksimun ndërsa pretendon edhe grumbullimin me kombëtaren e Italisë për Europianin e vitit 2024.
Në rast se transferimi kompletohet me sukses atëherë do të ishte hera e parë që Bonucci do të aktivizohej në një kampionat tjetër pasi e gjithë karriera e tij është zhvilluar në Itali.