Lajm i keq për Bayernin, Coman e humb sezonin
Bayern Munich nuk mund të llogaritë në shërbimet e sulmuesit Kingslay Coman për përballjen ndaj Arsenalit, si dhe pjesën e mbetur të sezonit.
Francezi ka pësuar një lëndim muskulor dhe do të mungojë në muajt në vijim, ndërsa rrezikon të mos ftohet as nga Franca për “Euro 2024”.
Përmes një komunikate zyrtare, gjiganti gjerman ka bërë me dije lëndimin e 27-vjeçarit, që e ka lënë jashtë listës për ndeshjen e rëndësishme ndaj Arsenalit të mërkurën.
“Kingslay Coman do të jetë për disa javë jashtë fushës pasi ka pësuar një lëndim muskulor në ndeshjen ndaj Kolnit të shtunën”.
“Coman e lëndoi vetën me një lëvizje brenda zonës, ku nuk u prek nga kundërshtari dhe u nevojit të zëvendësohej në minutën e 50-të”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë, raporton nacionale.
Bayern Munich do ta ketë mjaftë të vështirë përballjen ndaj Arsenalit pasi do të mungojnë edhe Serge Gnabry i lënduar, si dhe Alphonso Davies që është i suspenduar.
Kujtojmë, përballja e parë në Angli përfundoi me rezultat të barabartë 2:2, ndërsa të mërkurën të dy klubet do të bëjnë çmos për të avancuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Skuadra që arrin në gjysmëfinale do të përballet me fituesin e derbit tjetër Manchester City – Real Madrid, që gjithashtu zhvillohet të mërkurën.