Pioli: Vetëm ekipet e forta mund ta bëjnë përmbysjen
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, e ka pranuar se përmbysja rezultatit ndaj Romës nuk do të jetë mision i lehtë, por ai është i bindur se të besuarit e tij, mund të kalojnë në rundin tjetër të Ligës së Evropës.
‘Rossonerët’ u mundën mbrëmë në ‘San Siro’ nga Roma (0-1), në ndeshjen e parë të çerekfinales të Ligës së Evropës.
Strategu italian mendon se goli i ‘romakëve’ nuk ishte i rregullt.
“Në pjesën e dytë më pëlqeu skuadra dhe ne luajtëm lojën, ndoshta jo me qartësinë dhe cilësinë e zakonshme. Tani kemi ndeshjen e dytë dhe skuadra mund të bëjë më shumë dhe më mirë”, ka thënë Pioli.
“Këndorja nga e cila shënoi Mancini ndoshta erdhi nga një pozicion jashtë loje i Lukakut dhe në finale Abrahami e goditi me dorë në zonë, jo me kokë. Fatkeqësisht nuk jemi shumë me fat me këtë gjyqtar. Përmbysja e rezultatit nuk do të jetë e lehtë. Vetëm ekipet e forta mund ta bëjnë këtë. Por nëse ndonjë ekip mund ta bëjë këtë, ai jemi ne”, ka theksuar Pioli.
Ndeshja e kthimit mes Romës dhe Milanit luhet pas një javë në kryeqytetin italian.