Futboll magjik dhe gola spektakolarë, Real – City ishte ndeshja e shekullit
Ka një të dhënë interesante për të hapur një diskutim të rëndësishëm në lidhje me filozofinë e futbollit dhe mbi bukurinë që pati sfida mes Realit të Madridit dhe Cityt.
Në 5 ndeshjet e fundit që kanë luajtur së bashku 2 skuadrat janë shënuar 23 gola, një mesatare 4,6 gola për ndeshje (10 për spanjollët dhe 13 për anglezët).
Duken shumë dhe për ata që janë konservatorë të mbrojtjes mund të ngrihet një tjetër pyetje: Po mbrojtjet ishin në fushën e lojës? Përgjigjja është disi filozofike sepse ndryshe nga ekipet italiane dy skuadrat e mësipërme luajnë për të shënuar 1 gol më shumë sesa kundërshtari. Ky është futbolli modern, vite dritë larg nga shkolla italiane që e ka shumë të vështirë që të përshtatet. Futbolli, ky modern dhe ai i klubeve të mëdha në Champions është një spektakël i vërtetë. Dhe shikuesit e kësaj sfide sigurisht që thjesht kanë falënderuar si Ançelotin dhe Guardiolën për atë që dhuruan në fushën e lojës.
Në vitet e fundit është një nga ndeshjet më spektakolare që ka parë historia e Ligës së Kampionëve, madje në Itali e quajnë sfida e shekullit. Dhe për t’u rikthyer sërish te mbrojtjet dhe golat e pësuar, mjafton të shohë se si lëshoheshin predhat nga larg për të befasuar portierët. Mbrojtësit nuk u dribluan lehtë sisht, por e bënë ashtu siç duhet detyrën e tyre. Të mendosh se Siti apo Reali i Madridit do të fitojnë Champions Leaguen është diçka e thjeshtë, por në fakt ky kompeticion ka të papritura dhe shumë befasi rrugës.
Prandaj është më i bukuri në botë. Imagjinoni se çfarë ndeshje na pret në Mançester, aty ku do të vuloset bileta e skuadrës që do të shkojë në gjysmëfinale.
Dy gjeni të ulur në pankinat respektive me taktikat e tyre, por mbi të gjitha me futbollin dehës. Por për të folur për atë sfida ka kohë, tani duhet të shijojmë edhe një tjetër 90 minutësh spektakolar.