Kosova pëson humbje të thellë nga favoriti i grupit – Uellsi

Kosova pëson humbje të thellë nga favoriti i grupit – Uellsi

Kombëtarja e Kosovës (vajzat) ka pësuar humbje të thellë në përballje me favoritin e Grupit B4, Uellsin, me rezultat 5:0.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ashtu siç pritej kaloi në shenjë të mbizotërimit të futbollisteve uellsiane, të cilat e konfirmuan rolin e favoritit të këtij grupi duke realizuar fitoren e dytë në kuadër të këtij cikli të ri të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025.

Ndërkohë, për Dardanet e udhëhequra nga Anneli Andersen kjo ishte humbja e dytë radhazi, pasi katër ditë më parë pësuan humbje edhe nga Ukraina në Antali (2:0).

Serinë e golave për uellsianet e hapi Rachel Rowe, në minutën e 30-të. E njëjta futbolliste realizoi edhe në minutën e 60-të për shifrat 3:0, pasi paraprakisht shifrat në 2:0 i çoi Kayleigh Barton (44′). Tre golat e tjerë për mysafiret i shënuan Ffion Morgan (62′) dhe Elise Hughes (85’, 90’+3’).

Dy ndeshjet e radhës Kosova i zhvillon kundër Kroacisë, fillimisht në shtëpi më 31 maj dhe më pas në udhëtim më 4 qershor.

Deklaruan pas ndeshjes:

Anneli Andersen: Disa gjëra i kemi bërë shumë mirë, por disa jo. Jam e lumtur me 60 minutat e para të ndeshjes, ku vajzat treguan paraqitje të mirë, por më pas patëm rënie dhe u ndëshkuam me humbje të thellë. Gjithsesi, ky është një nivel shumë më i lartë, por ajo që është me rëndësi është që ne të përmirësohemi pas çdo grumbullimi që kemi si kombëtare. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme do të jemi në gjendje të luajmë më mirë.

Rrezona Ramadani: Normalisht ishte një ndeshje e vështirë ashtu siç e kemi pritur. Nuk mendoj se është rezultati real, por duhet pranuar se Liga B është shumë më e vështirë se Liga C, ku kemi qenë deri tash. Besoj se në ndeshjet e tjera do të tregojmë se nuk jemi për këtë rezultat dhe do të arrijmë të marrim rezultate pozitive. Në dy vjetët e fundit kemi përparuar shumë. Kalimi nga Liga C në Ligën B ka qenë një hap përpara. Shpresoj të bëjmë më mirë në të ardhmen.

Erëleta Memeti: Ky është një nivel ndryshe, është shumë më lart se sa eksperiencat tona të deritashme. Në këto ndeshje duhet të marrim përvojë. Çdo vajzë duhet të ushtrojë më shumë, madje edhe privatisht në aspektin fizik, për të arritur këtë nivel. Jemi munduar të rezistojmë, por ka qenë e pamundur pasi Uellsi ishte në nivel shumë më të lartë. Neve na duhet kohë për të arritur këtë nivel.

Share This