Sfidë totale, nga Guardiola-Ancelotti te Vinicius-Haaland, Real-City është një klasike
Real Madrid-Man.City është kthyer në një klasike, një sfidë spektakolare, e tillë pritet të jetë edhe kjo përballje në fazën çerekfinale, një duel total që nis nga stoli, Ancelotti vs Guardiola dhe vijon në çdo repart.
Për Ancelottin, eksperienca e fundit kundër Guardiola-s ishte shumë e hidhur, një vit më parë “qytetarët” i mposhtën me “poker” golash duke siguruar një biletë për në finale.
Dy ekipet vijnë në pozita të ndryshme në këtë përballje, Real Madrid po dominon La Liga, ndërsa City është në garë me Arsenal dhe Liverpool për titullin në Premier League, por këtë sezon kanë vuajtur shumë kundër ekipeve të mëdha. Ndryshe është diskutimi në Champions, ku Man.City njeh vetëm fitore, dominoi Grupin C ndërsa më pas në 1/8 eliminoi Copenhagen duke i shënuar 6 gola në dy përballje, raporton balkanweb.
Ancelotti pritet t’i besojë këtë sfidë dyshes braziliane Vinicius Jr-Rodrygo, ndërsa pas tyre do të jetë një “armatë” e vërtetë më lojtarë si Valverde, Camavigna, Kroos dhe Bellingham. Nga ana tjetër Guardiola pritet të hedh në fushë “artilerinë” e tij të rëndë, Haaland-Foden-Grealish, të mbështetur nga De Bryne.