Ballkani nuk i frikësohet BATE Borisov
Ballkani ka shansin e artë që për të dytin sezon rresht të sigurojë biletën e fazës së grupeve të Conference League.
Trajneri Ilir Daja është njeriu i momentit në Kosovë pasi brenda pak kohësh i ka siguruar të ardhura rekord ekipit që e ka shpallur njëkohësisht edhe dy vite rresht kampion.
Shitja e Krasniqit te Cluj dhe largimi i Rrahmanit me një total prej më shumë se 1 milionë eurosh por edhe të ardhurat nga Europa, e kanë bërë Ballkanin skuadrën e momentit por tashmë Daja është përballë një sfide tjetër.
BATE Borisov, një kundërshtar që me siguri e ka studiuar mirë në përballjet me Partizanin, është skuadra që do të sfidojë Ballkanin, ekip që nuk prodhon vetëm rezultate por edhe lojë të bukur e për këtë diçka di edhe Ludogorets.
Ndeshja e parë do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa, ajo e kthimit një javë më pas në Hungari.
Sipas kapitenit dhe mbrojtësit Armend Thaçi, Ballkani i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar BATE Borisov, një kundërshtar dukshëm më i dobët se ai i viteve të kaluara.
Për këtë përballje, Ballkani do të ketë në dispozicion gjithë bërthamën e ekipit titullar ndërsa fusha në gjendje jo optimale mund të jetë një faktor penalizues për ekipin kosovar që e bazon strategjinë në lojën me pasime të shumta.