Vjen “klasikja” e Premier League, sfidë e madhe futbolli në “Old Trafford”
Vendin e parë e mbajtën, por tani vjen “prova e zjarrit”. Liverpooli nuk ka kohë të festojë fitoren ndaj Sheffield United, sepse këtë të diel do të jetë në “Teatrin e Ëndrrave”, “Old Trafford”.
Përballë “Të Kuqve”, të trajnerit Jurgen Klopp do të jetë skuadra vendase, Manchester United, e pavarësisht gjithçkaje ky është derbi i vërtetë i futbollit anglez.
Fati i titullit në Premier League vendoset jo pak nga dueli i madh. Pak rëndësi ka fakti se “Djajtë e Kuq” u mundën papritur në fushën e Chelsea, në një ndeshje të rrëmujshme, që ndoshta nuk shprehu qartë atë që ndodhi në fushë.
Liverpool kryeson kampionatin me dy pikë më shumë sesa “Topçinjtë” e Arsenal, dhe tre mbi “Qytetarët” e Manchester, veçse një hap i gabuar në Mançester do të kushtonte shumë, kur mbeten edhe 8 javë deri në fund. Skuadra e Jurgen Klopp vërtet është e para, por gjithmonë I bën me zemër tifozët, pëson gol shpesh, dhe ia del thuajse vetëm në 15 minutat e fundit, gjithsesi, trajneri gjerman është optimist.
“Ne kemi 70 pikë dhe janë shumë. Ne jemi në krye të Premier Ligës, por duhet ta mbajmë atë pozicion. Për fat nuk na u dëmtua njeri ndaj Shefild Junajtidit. Shumë lojtarë janë kthyer, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndaj Mançester Junajtidit nuk do të jetë e lehtë, por besoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë”, tha tekniku gjerman.
I mërzitur, por sërish optimist, edhe trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag. Holandezi është nën presion për t’u shkarkuar, dhe kualifikimi në Champions është praktikisht i pamundur, një goditje e rëndë, por ai e sheh me sy tjetër disfatën ndaj Chelsea.
“Ne po bëjmë gabime individuale, diçka që nuk duhet të ndodhë. Fatkeqësi, sepse ndaj Chelseas ne e dominuam ndeshjen. Mënyra sesi ne luajtëm ishte e shkëlqyer. Ne meritonim të fitonim. Duhet të menaxhojmë më mirë minutat e fundit. Në 5 ditë kemi humbur 5 pikë. Këtë të diel do të jemi gati për Liverpulin. Ne kemi karakter, duhet të reagojmë si skuadër”, u shpreh “tulipani” i bankinës.