S’ka fitues në Malishevë, Gjilani fundos Fushë Kosovën
Janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 28, ku Malisheva edhe pse me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të takimit arriti të barazonte 1:1 me Dukagjinin, ndërsa në anën tjetër Gjilani e mposhti me rezultat 4:0 Fushë Kosovën.
Malisheva pati rastin e artë që të barazohej me pikë me Dritën e vendit të tretë dhe për të luftuar deri në fund për një vend në Evropë, ndërsa Dukagjini duket e dorëzuar në këtë sezon dhe se objektivi i vetëm i tyre është të qëndrojnë larg zonë së play-offit.
Ndeshja e zhvilluar në Liman Gegaj ishte shumë aktive për të dy skuadrat, teksa dy golat e ndeshjes u shënuan në pjesën e dytë.
Gjatë 45 minutave të para çka vlen të veçohet është kartoni i kuq i Agon Xhakës në minutën e 41-të, kur vendasit mbeten me një futbollist më pak.
Tetë minuta me të filluar pjesa e dytë, Altin Mërlaku shënoi dhe kaloi Dukagjinin në epërsi 1:0.
Edhe pse me një futbollist më pak, Malisheva në vazhdim të ndeshjes u tregua shumë më e rrezikshme, me Drilon Hazrollajn që krijonte rast pas rasti.
Në minutën e 75-të Hazrollaj depërtoi mirë në zonë, por u godit në fytyrë dhe gjyqtari Mervan Bejtullahu akordoi penallti.
Driloni ishte i saktë, për të barazuar rezultatin dhe shkoi në kuotën e 19 golave këtë sezon, duke u konfirmuar larg lojtari më i mirë këtë sezon në Superligë të Kosovës.
Hazrollaj pati edhe një rast kur tentoi të merrte penallti, por pavarësisht kontaktit, gjyqtari vendosi për të mos akorduar 11 metërsh.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe ndeshja përfundoi me barazim 1:1, me Malishevën që vazhdon në pozitën e katërt dhe ka edhe tetë ndeshje për të zhvilluar, për të mbajtur gjallë shpresën për dalje në Evropë.
Në anën tjetër dy skuadrat e pjesës së fundit të tabelës Gjilani e Fushë Kosova u takuan, me këta të parët që nuk treguan fare mëshirë.
45 minutat e para përfunduan pa gola, por vendasit shënuan katër gola në pjesën e dytë.
Marko Roganovic shënoi për epërsinë 1:0 në minutën e 52-të, ndërsa për 2:0 topin në rrjetë e çoi Oltion Bilalli tetë minuta më vonë.
Senad Jarovic shënoi dy golësh në interval prej gjashtë minutash (68′ dhe 74′) për rezultatin përfundimtar 4:0, raporton nacionale.
Fushë Kosova pothuajse se është dorëzuar pasi gjendet në vendin e parafundit, ndërsa Gjilani me këtë fitore ngritet në pozitën e shtatë, ndonëse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht.