Superliga rikthehet sot me dy ndeshje joshëse
Superliga e Kosovës vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 28-të, që pritet të jenë tejet interesante.
Kjo xhiro hapet ditën e sotme, ku në program për t’u zhvilluar janë dy ndeshje.
Malisheva do të jetë nikoqire e Dukagjinit në “Liman Gegaj”.
Malishevasit po luftojnë për një vend që i dërgon në garat evropiane, teksa janë të katërtit në tabelë me 48 pikë, me vetëm tri pikë më pak se Drita, që mban pozitën e tretë.
Në anën tjetër, klinasit janë në vendin e gjashtë me 35 pikë të grumbulluara.
Të dy skuadrat barazuan në xhiron e kaluar. Malisheva ndau pikët me Dritën, kurse Dukagjini me Gjilanin.
Gjilani sot do të jetë nikoqir i Fushë Kosovës. Kjo do të jetë një përballje mes dy skuadrave që po luftojnë për t’i ikur rënies direkte nga Superliga.
Gjilanasit, që kanë grumbulluar 27 pikë deri tash, janë në pozitën e tetë në tabelë, pozitë e cila ia siguron ndeshjen e barazhit. Ndërsa, “Pampurat” janë të parafundit (9) me 20 pikë.
Gjilani hyn në këtë ndeshje pas dy barazimeve rresht; ndaj Dritës dhe Dukagjinit, kurse Fushë Kosova pas humbjes ndaj Feronikelit ’74, raporton Express.
Të dy ndeshjet janë të parapara për t’u zhvilluar nga ora 15:00.