Sainz “i vërshuar” nga ofertat
Piloti spanjoll, Carlos Sainz është padyshim më i kërkuari në tregun e Formula 1, teksa këtë verë të gjitha makinat kryesore do të synojnë të marrin 29-vjeçarin.
Ai do të lërë Ferrarin në fund të sezonit për t’i lënë vendin Lewis Hamilton.
Kjo situatë nuk e tremb aspak pilotin spanjoll, pasi i di aftësitë e tij, siç e konfirmoi gara e fundit e Formula 1 në Australi, fituar prej tij. Nga Suzuka, ku të dielën zhvillohet gara e Japonisë, Sainz pranon se ka mjaft kërkesa dhe se po bisedon thuajse me të gjithë.
“Po flasim praktikisht me të gjitha skuadrat. Ne po bisedojmë për t’u thelluar edhe më shumë në detaje, për të parë se cila mundësi është me reale. Cila do të jetë mundësia ime më e mirë për të ardhmen”, tha Carlos Sainz.
“Nuk kam asgjë për t’u nxituar, por e di që duhet të vendos sa më shpejt të jetë e mundur, pasi edhe koha në dispozicion po mbaron. Shpresoj që për të ardhmen time të vendos para se të nisë vera”, u shpreh piloti spanjoll i “kokëkuqes”.