Chelsea-United, “ajka” e futbollit të mesjavës

Chelsea-United, “ajka” e futbollit të mesjavës

Një ndeshje epike e futbollit anglez do të marrë vëmendjen këtë mesjavë. Chelsea do të mirëpresë në ‘’Stamford Bridge’’ rivalët e Manchester United në një betejë mes dy skuadrave që kanë shkruar historinë në Ishull me trofetë e fituar dhe rivalitetin e tyre të famshëm.

Mungesa e vazhdimësisë ka qenë një sindromë për të dyja skuadrat. Manchester United po has vështirësi në synimin për të mbërritur te zona Champions, pavarësisht se me shumë gjasë kampionati anglez do të dërgojë pesë skuadra në sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve, Djajtë e Kuq kanë 9 pikë më pak se Tottenham i vendit të pestë.

Procesi i rindërtimit nuk ka shkuar sipas planit për Mauricio Pochetino. Vendi i 12-të dhe e vetmja pozitive është shpërthimi i Cole Palmer. 13 golat e shënuar dhe 8 asistimet nga 21-vjeçari i ardhur nga Manchester City e kanë bërë që të ftohet dhe në kombëtaren angleze, por dhe të kthejë entuziazmin në një ambient të zymtë si i Chelseat këtë sezon.

2-herë fituesit e Champions League morën një rezultat zhgënjyes në fundjavë, një barazim 2-2 ndaj Burnley-t pretendent për të rënë nga kategoria dhe me 10 lojtarë në fushë. Më dramatik ishte takimi i fundit i Manchester United, 1-1 ndaj Brentford. Në fakt, dominimi i Brentford ishte i theksuar me 31 gjuajtje të regjistruara, por goli i minutës së 96’ nga Mason Mount u duk se do t’i jepte tri pikët ekipit të United, vetëm për ta shpërdoruar avantazhin e çmuar dy minuta më vonë nëpërmjet një pakujdesie në mbrojtje.

Si rrjedhojë, rezultatet e fundit lënë të kuptohen se Chelsea dhe Manchester United do të synojnë autokritikën dhe një fitore për të lënë zhgënjimet. Përballjet e fundit direkte kanë folur në favor të Djajve të Kuq, që nuk janë mposhtur ndaj Bluve në kampionat që prej vitit 2017.

Marrë në konsideratë luhatjet e shumta, Mauricio Pochetino dhe Erik ten Hag janë në audicion deri në fund të sezonit para drejtuesve dhe do të kërkojnë me patjetër një mbyllje të suksesshme të edicionit futbollistik.

Nga ora 21:15 e së enjtes, Chelsea-Manchester United do të mund ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në platformën DigitAlb/Supersport.

Share This