Ballkani në fund mposht Suharekën, s’ka gola në sfidën Prishtina-Drita
Prishtina dhe Drita e kanë mbyllur në paqe, derisa Ballkani mposht krejt në fund Suharekën, në kuadër të gjysmëfinales së parë për Kupën e Kosovës.
Derbi më interesant ishte mes Prishtinës e Dritës, ku u zhvillua lojë e hapur por epilogu përfundimtar doli të jetë 0:0.
Prishtina ishte më agresive në fillim duke fituar një penallti pas tre minutave lojë, por VAR-i pastaj e anuloi.
“Bardhëkaltërit” në fakt shënuan përmes Leutrim Kryeziut, por sërish VAR-i e anuloi. Këtë herë shkaku i një prekje të topit me dorë në ndërtimin e këtij aksioni (22’).
Pjesa e dytë ishte edhe më e qetë, pasi të dy skuadrat u treguan më të kujdesshme në mbrojtje duke mos lejuar befasi.
Kësisoj, pas 90 minutave lojë asnjëra skuadër s’arriti ta marrë avantazhin dhe finalisti do të mësohet në ndeshjen kthyese në Gjilan.
Ndërkohë, edhe derbi i rivalëve lokal Suhareka – Ballkani ishte mjaftë interesant, me kampionin e Kosovës që e fitoi lojën krejt në fund.
Ballkani ashtu siç pritej ishte më e mirë në fushë, por njësoi si në kohët e fundit po vuan për ta gjetur rrugën drejtë rrjetës.
Rastin më të mirë në pjesën e parë e kishte Nazmi Gripshi, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Suhareka më shumë u mbrojt, duke tentuar disa kundërzbritje mirëpo larg konkretizimit të tyre.
Kur mendohej se sfida do të mbyllej me rezultat 0:0, në skenë doli i inkuadruari Marsel Ismajlgeci që realizoi golin e fitores (90+1′).
Megjithatë, asgjë s’ka mbaruar as në këtë sfidë dhe finalisti do të mësohet në ndeshjen kthyese.