Kimmich i pavendosur për të ardhmen, i vendos një kusht Bayern Munich për të qëndruar
E ardhmja e Joshua Kimmich në Bayern Munich është ende e paqartë, me shumë klube europiane që kanë shprehur interes për mesfushorin gjerman.
Megjithatë, Kimmich ka vendosur një kusht të qartë për të konsideruar rinovimin e kontratës me klubin bavarez dhe për të shmangur një largim të mundshëm në merkaton e verës.
Sipas zbulimeve nga drejtori i përgjithshëm sportiv i Bayernit, Max Eberl, Kimmich ka shprehur dëshirën e tij për të takuar trajnerin e ardhshëm të ekipit përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij. Këtë kusht e ka ndarë edhe vetë Eberl në një intervistë të gjerë për ‘Sky Sport Germany’.
“Joshua na e ka bërë të qartë: ‘Dua të di se kush është trajneri i ri’”, tha Eberl, duke theksuar rëndësinë që trajneri i ardhshëm do të ketë në vendimet e Kimmich.
Me kontratën e tij deri në qershor 2025, lojtari është bërë një nga objektivat kryesore për disa klube më të mira në Evropë, duke përfshirë Real Madrid, Manchester City, Barcelonën, Liverpool dhe Arsenal.