Trepça e fiton Ligën Unike, e mposht Yllin në një sfidë të ‘çmendur’

Trepça e fiton Ligën Unike, e mposht Yllin në një sfidë të ‘çmendur’

Trepça është kampioni i Ligës së Unike për këtë sezon, ku në finale mposhtën rivalin Golden Eagle Ylli.

Skuadra mitrovicase edhe pse në disavantazh deri vonë, fitoren e vulosi krejt në fund me një tre pikësh, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 66:67 (19:11, 15:22, 18:13, 14:21).

Ylli e nisi në mënyrën më të mirë duke e mbyllur me tetë pikë epërsi çerekun e parë 19:11. Por, Trepça u këndell në çerekun e dytë duke e mbyllur me rezultat 15:22, duke bërë që pjesa e parë të ketë vetëm një pikë dallim 34:33.

Çereku i tretë ishte më i ngushtë, pasi të dy skuadrat u fokusuan shumë në mbrojtje, duke tentuar të mos pësonin shumë pikë. Ylli ishte më konkretizuese duke e mbyllur me pesë pikë epërsi 18:13.

Megjithatë, Trepça e dëshmoi se është sezoni i tyre duke e përmbysur krejt në fund. Në fakt, një trepikësh i sekondave të fundit nga Edge ia solli mitrovicasve trofeun e Ligës Unike.

Edge përndryshe ishte edhe lojtari i ndeshjes me plot 25 pikë të shënuara, ndihmuar nga Tmusic me 16 sosh, pasi kapiteni Drilon Hajrizi dëshpëroi në këtë sfidë me vetëm pesë pikë.

Ndërkohë, te Ylli më i miri ishte Verge Junior me 28 pikë.

Share This