Tuchel: Ta harrojmë titullin, urime Bayer Leverkusenit

Tuchel: Ta harrojmë titullin, urime Bayer Leverkusenit

13 pikë janë shumë për t’u rikuperuar, aq më tepër kur deri në fund të kampionatit kanë mbetur vetëm 7 ndeshje për t’u luajtur.

Bayerni humbi 0-2 klasiken e futbollit gjerman kundër Dortmundit, me këta të fundit që u rikthyen të fitonin në Bavari një takim kampionati pas 10 vitesh.

Trajneri i ekipit bavarez, Thomas Tuchel uroi Bayer Leverkusenin për fitimin e Bundesligës në deklaratën pas disfatës me verdhezinjtë.

“A është mbyllur gara për titullin kampion? Po, patjetër. Është e kotë t’i numërojmë pikët. Urime Leverkusenit për fitimin e titullit”, theksoi Tuchel, i cili do të ndahet me Bayernin në fundin e sezonit.

Por, në lojë është Champions League, kompeticion të cilit rekordmenët e futbollit gjerman duan t’i shkojnë deri në fund.

Dhe Tuchel shpreson ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te Bayerni.

Skuadra ka siguruar kualifikimin në çerekfinale, raund ku do të sfidojë Arsenalin në dy përballje shumë të forta dhe të bukura.

Nëse kalojnë Gunners, djemtë e Tuchel do të gjejnë në gjysmëfinale fituesin e çiftit Real Madrid-Manchester City.

Share This