Ndeshja e fituar e Ballkanit ndaj Dinamo Zagrebit nën hetime nga Prokuroria për kurdisje
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për ndeshjen që dyshohet se është e kurdisur mes Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit, këtë e ka konfirmuar zëdhënësja Laureta Ulaj për Gazetën Nacionale.
Ballkani shënoi një fitore të madhe ndaj gjigantit kroat në “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:0 në kuadër të Ligës së Konferencës, derbi që ishte zhvilluar më 5 tetor 2023.
Megjithatë, loja dyshohet se është e kurdisur dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
“E konfirmojmë se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga Prokurori i Shtetit lidhur me këtë çështje”, konfirmoi Ulaj për Nacionalen.
Ballkani në atë sfidë kishte shënuar një fitore mjaft komode ndaj Dinamos, skuadër të cilën e dominoi në të gjitha aspektet për të fituar në fund me rezultat 2:0.
Sidoqoftë, kampionit të Kosovës nuk është që i eci mbarë në ndeshjet e mbetura, sidomos në atë kthyese në Kroaci – ku pësoi humbje me rezultat 3:0.
Gazeta Nacionale ka tentuar ta kontaktoj edhe presidentin e Ballkanit Arsim Kabashi, megjithatë ky i fundit ishte i pa qasshëm (më shumë gjasë shkaku që është duke shikuar nga afër derbin ndaj Prishtinës që po zhvillohet në këto momente).
Pas kësaj fitore të madhe, si vazhdoi rrugëtimi i Ballkanit në Evropë?
Me këto tre pikë të fituara në Prishtinë, shumë tifozë menduan se Ballkani mund të kalonte edhe në fazën e grupeve, por një situatë e tillë fatkeqësisht s’ndodhi.
Qysh në lojën tjetër, Ballkani u mposht nga klubi prej Kazakistanit FC Astana, duke pësuar humbje 1:2 në “Fadil Vokrri”. “Xhebrailat” pastaj morën një pikë në udhëtim te kjo skuadër, me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 0:0.
Kurse në dy xhirot e fundit, u mposht nga Plzeni në shtëpi (0:1), e pastaj Dinamo e riktheu në realitet duke triumfuar 3:0 në Kroaci.
Kështu, kampioni i Kosovës e përfundoi fazën e grupeve si vend i fundit me katër pikë.