Trepça, fitore nervash ndaj Prishtinës, e pret Ylli në finale
Takimi i dytë i gjysmëfinaleve të veprimtarisë së përbashkët të basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, Ligës Unike të meshkujve, ka qenë ai midis Trepçës së Mitrovicës dhe SIGAL Prishtinës.
Kjo veprimtari po vjen për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, dhe të dy sfidat e së premtes kanë ardhur në kanalin RTSH 3.
Dhe në sfidën e dytë të së premtes, Prishtina e ka nisur më mirë sfidën, duke e fituar 10-minutëshin e parë me 4 pikë epërsi, 28-24. Por skuadra mitrovicase do të kundërpërgjigjet fuqishëm në 10-minutëshin e dytë, duke e fituar atë me shifrat 27-18, dhe duke bërë që të dy ekipet të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave me epërsinë prej 5 pikësh të skuadrës së Trepçës, 51-46.
Të dyja skuadrat do të dalin të motivuara nga dhomat e zhveshjeve dhe ndonëse është skuadra e kryeqytetit të Kosovës që e ka fituar 10-minutëshin e 3-të, 22-19, Trepça ka vijuar të kryesojë pas një gjysmë ore lojë me dy pikë epërsi, 70-68.
10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë një lojë të ashpër dhe të luftuar nga të dyja skuadrave, por Trepça e ruan përballë SIGAL Prishtinës dhe e ka fituar atë, 13-12, çka i mjafton për ta fituar gjithë ndeshjen 83-80, duke siguruar kështu vendin në finalen e së dielës në Ligën Unike në basketboll për meshkuj përballë Yllit.