Zbulohen prapaskenat se si u transferua mbrojtësi kosovar te Partizani
Altin Bytyçi është prezantuar zyrtarisht nga klubi i Partizanit të shtunën, ndërsa dje ka zhvilluar seancën e parë me fanellën e kuqe.
Mbrojtësi 22- vjeçar nga Suhareka, ashtu siç ka paralajmëruar “Panorama Sport”, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me kampionët në fuqi.
“Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me Altin Bytyçin. Mbrojtësi u bashkohet kampionëve të Shqipërisë pas tri sezoneve pozitive te Kukësi. 22-vjeçari nga Suhareka ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon me të kuqtë. Bytyçi do t’i bashkohet menjëherë ekipit në seancën e radhës. Mirë se vjen në familjen e kuqe Altin Bytyçi”, citohej në njoftimin e klubit të kuq.
Mbrojtësi është titullari i dytë që transferohet nga Kukësi te Partizani në këtë merkato vere, teksa fillimisht firmosi ish-kapiteni Gjelbrim Taipi.
Ai është afrimi numër shtatë i Partizanit pas Albers Kekos, Eros Grezdës, Adnard Mehmetit, Pano Qirkos, Gjelbrim Taipit dhe Mateo Kocijan.
DETAJET – Bytyçi vjen si lojtar i lirë te Partizani, por klubi i kuq nuk mund t’i shmanget dëmshpërblimit për këtë transferim. Duke qenë se mbrojtësi është ende 22 vjeç, duhet paguar taksën e formimit. Mësohet se bëhet fjalë për një shumë rreth 100 milionë lekë të vjetër që Partizani duhet të kalojë në llogarinë e Kukësit.
Mirëpo, “Panorama Sport” zbulon se përpara se klubet të merreshin vesh, është dhënë një garanci për transferimin, duke i ofruar Kukësit një shumë prej 20 mijë eurosh kesh. Në këtë mënyrë mësohet se futbollisti mori edhe lejen e kalimit, për t’i hapur rrugën transferimit dhe mos pasur asnjë detyrim ndaj skuadrës ku luajti në tri vitet e fundit.
Në karrierën e tij Bytyçi ka luajtur edhe për një kohë të shkurtër me Laçin, ndërsa në sezonin 2019-2020 ka qenë pjesë e klubit kroat Medimurje Cakovec. Qendërmbrojtësi i ri i Partizanit ka qenë në vitin 2019 edhe pjesë e Kombëtares U-19 të Kosovës, duke u aktivizuar në tri ndeshje.