“Nuk e konsideroj Kosovën, jam danez” – Futbollisti kosovar çuditë me deklaratën e fundit
Lojtarët që luajnë në Evropë po vazhdojnë ta refuzojnë mundësinë për ta përfaqësuar Kosovën, e kësaj liste i është bashkuar talenti Olti Hyseni, që e sheh vetën si ‘danez’.
Hyseni është duke mahnitur të gjithë në Danimarkë, pasi ka debutuar në divizionin e parë (liga e dytë) si 16-vjeçar, ndërsa ka shënuar dy gola e dhuruar një asistim në gjashtë paraqitje.
Megjithatë, Hyseni e ka bërë të qartë se qysh në këtë moshë të hershme s’po e konsideron fare përfaqësimin e Kosovës pasi ndihet danez dhe që Danimarka ka një kombëtare më të mirë.
“Nëna ime erdhi në Danimarkë në vitin 1999. Babai nuk kishte pasaportë daneze dhe nuk u lejua. Në vitin 2007 mori leje dhe na u bashkua në Danimarkë, një ditë para se të lindja”.
“E kam ndjenjën se ka pak për Kosovën brenda meje, por jam më shumë danez. U linda dhe rrita këtu, andaj të luaj për Kosovën s’është nën konsideratën time. Ndihem danez dhe Danimarka ka kombëtaren më të mirë”, tha golashënuesi më i ri në historinë e klubit të Sonderjyskes.
Përndryshe, Hyseni luan në pozitën e anësorit të majtë ku ka bërë katër paraqitje për Danimarkën U17 duke realizuar një gol në përgjithësi.