I tha “JO” Arabisë Saudite, Allegri: Më dukej gabim të largohesha në këtë moment nga Juventus-i
Massimiliano Allegri refuzoi ofertat nga Arabia Saudite këtë verë dhe zgjodhi të vazhdonte qëndrimin te Juventus.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediet italiane, trajneri i “bardhezinjve” shpjegoi arsyet pse mori një vendim të tillë.
“Më dukej e gabuar të largohesha nga Juventusi në këtë moment sepse në çdo rast ka shumë lojtarë të rinj të mirë që mund të jenë e ardhmja jonë. Mendoj se kjo skuadër ka një të ardhme të rëndësishme duke pasur parasysh moshën lojtarëve. Juventusi mund të ketë një të ardhme të madhe”, tha ai.
Ndërsa, duke folur për garën për titullin kampion, italiani theksoi se qëllimi i tyre për sezonin 2023-2024 të Serie A është pjesëmarrja në Champions League.
“Kampionati është i gjatë, qëllimi ynë është të luajmë në Champions League që na u hoq si mundësi sezonin e shkuar pavarësisht rezultateve. Të luash një ndeshje në javë në kampionat duhet parë si një mundësi për të punuar dhe përmirësuar lojtarët, por të luash në Champions League është diçka tjetër”, deklaroi ndër të tjera Allegri.