Berisha: Kemi nisur një cikël të ri, gati të japim më të mirën në fushë
Valon Berisha ishte padyshim nga më të mirët në mesfushën e Kosovës, teksa pas miqësores me Hungarinë bëri apel që skuadra të tregohet më e kujdesshme në shfrytëzimin e rasteve që i krijohen.
Ai vlerësoi maksimalisht punën e trajnerit Foda dhe u shpreh se miqësoret e marsit janë një pikënisje e mirë për të bërë paraqitje sa më dinjitoze në të ardhmen.
Sa i zhgënjyer jeni për këtë humbje?
Mendoj se pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë, duke krijuar shumë raste për të shënuar dhe kontrolluar topin. Kemi bërë presing shumë mirë përpara dhe mund të kishim shënuar, por vetëm goli na mungoi. Edhe pjesën e dytë e nisëm mirë, por u ndëshkuam me një gabim individual dhe më pas lamë shumë hapësira dhe u ndëshkuam sërish. Duhet të jemi krenarë, pasi luajtëm ndaj një skuadre që do të marrë pjesë në Europian dhe dominuam në fushë për më shumë se 60 minuta. Më pas vendosi rregulli i futbollit, ku nëse nuk shënon, ndëshkohesh dhe humb.
Si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës dhe veçanërisht në mesfushë, në këto dy miqësore?
Kemi pasur shumë raste edhe sot, edhe ndaj Armenisë, madje në Jerevan edhe më shumë. Duhet të jemi më të kujdesshëm në fazën e fundit, për të shënuar gola, pasi rastet dhe loja nuk mungojnë. Jemi me një trajner të ri dhe me ide të reja, ndaj besoj se këto ndeshje na kanë dhënë një frymë të mirë për t’u përgatitur për ndeshjet zyrtare që nisin në vjeshtë.
Çfarë ju jep shpresë në këtë cikël të ri?
Personalisht kam ciklin e fundit dhe dua të jap maksimumin në fushë. Besoj se mendojnë njësoj të gjithë si unë dhe jemi gati të sakrifikojmë. Kemi një trajner të ri dhe duhet të mësojmë sa më shumë prej tij. Këto dy ndeshje janë një pikënisje e mirë për t’u përmirësuar edhe më shumë dhe për të bërë sa më mirë në të ardhmen.