Armando Broja, i duhuri për sulmin kuqezi
Armando Broja rikthehet i duhuri në kombëtare, ndërsa miqësorja e së hënës në mbrëmje ndaj Suedisë, kjo në Stokholm, ka vërtetuar dhe një herë tjetër që është i domosdoshëm.
Një penallti e mohuar, ndërsa është penguar në zonën e rreptësisë suedeze, një gol i anuluar për pozicion jashtë loje, apo dhe një goditje dënimi e padhënë për prekje të topit me dorë dhe kaq mjafton për të thënë që Broja duhet.
Në fakt, edhe për shkak dëmtimesh, Broja nuk pat luajtur asnjë ndeshje në kualifikueset e Kampionatit Evropian 2024.
Tanimë u rikthye dhe fillimisht 22 minuta si zëvendësues në miqësoren me Kilin dhe 77 minuta si titullar në ndeshjen me Suedinë. Sigurisht që ka ende kohë për të gjetur formën e tij maksimale, sepse i duhen minuta aktivizimi tek Fulhami.
Por gjithsesi është i duhuri për sulmin kuqezi si një lojtar që mban në tension të gjithë mbrojtjen kundërshtare dhe që dërgon skuadrën përpara.
Sinjalet e tij në Stokholm ndoshta kanë vlejtur edhe Sylvinhon në kushtet kur Manaj, teksa ndaj nordikëve nuk luajti asnjë minutë, nuk pati të njëjtën paraqitje si në kampionatin turk.
Miqësoret e qershorit ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit, që janë dhe provat e fundit përpara Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”, do të shpalosin dhe më mirë cilësitë e Brojës, që mbetet pikë referimi për sulmin kuqezi.