Përmbledhja e kampionatit në Kosovë/ Nuk ndalet Ballkani, fiton edhe Llapi

Përmbledhja e kampionatit në Kosovë/ Nuk ndalet Ballkani, fiton edhe Llapi

Këtë fundjavë u zhvilluan ndeshjet e xhiros së dytë në Superligën e Kosovës.

Takimet e para ishin mes Lirisë dhe Dritës si dhe Malishevës me Fushë Kosovën. Skuadra nga Prizreni arriti një barazim pa gola 0-0 kundër klubit nga Gjilani, në ndeshjen e dytë që nga rikthimi i saj në kategorinë më të lartë në Kosovë, paraqitje që mund ta inspirojë edhe në ndeshjet në vazhdim për arritjen e rezultateve të dëshiruara.

Kampioni aktual Ballkani gjithashtu shënoi fitoren e dytë në po aq javë përballë Feronikelit. Klubi nga Suhareka ia doli të kalonte Feronikelin edhe pas ndeshjeve Europiane që po zhvillon, një gol në pjesën e parë dhe një në të dytën i dhuruan pikët e dëshiruara dhe pozitën e parë edhe për këtë fundjavë.

Fitoi gjithashtu edhe KF Llapi përballë Dukagjinit me rezultat bindës 3-0. Ndeshja ishte e barabartë deri thellë në pjesën e dytë ku golat erdhën në 20 minutat e fundit për suksesin e parë të Llapit këtë edicion, ndërkohë që Dukagjini kampionatin e ka filluar me dy humbje nga dy ndeshje dhe duhet të reagojë sa më parë për të mos mbetur prapa.

Fushë Kosova pas telasheve të javës së parë  dhe kërkimit të shtyrjes së takimit përballë Gjilanit, më në fund luajtën ndeshjen e  parë në udhëtim me Malishevën. Ky i fundit arriti fitoren e thellë 6-1 që mund të konsiderohet si rezultati më interesant i javës së dytë.

Ndërkohë që Fushë Kosova do duhet të rikthehet më fuqishëm në ndeshjet e radhës. Mes telasheve të stadiumit të saj dhe përgatitjes për qëndrimin në Superligë, duket se nuk do të jetë një edicion i lehtë për këtë skuadër.

Takimi përmbyllës i javës së dytë zhvillohet të hënën në orën 17:00 mes Gjilanit dhe Prishtinës ku Gjilani ende pa zhvilluar ndeshjen e parë si rezultat i situatës së ndërlikuar te klubi do të kërkojë që të arrijë suksesin përballë klubit nga kryeqyteti, kurse Prishtina kërkon fitoren numër dy për t’u barazuar me Ballkanin në krye të tabelës. /SS/

Share This